A mundet teatri ta dëgjojë thirrjen SOS që po e dërgon koha jonë, në këtë botë të qytetarëve të varfëruar, të prangosur në qelitë e realitetit virtual, të rrënjosur në privatësinë e tyre gulfatëse? Në botën e ekzistencave të robotizuara në kuadër të sistemit totalitar të kontrollit dhe represionit nëpër spektrin e jetës?

A është teatri i brengosur për shkatërrimin ekologjik, ngrohjen globale, humbjen masive të biodiversitetit, ndotjen e oqeaneve, shkrirjen e viseve akullore, rritjen e zjarreve pyjore dhe për dukuritë ekstreme meteorologjike. A mundet teatri të bëhet pjesë aktive e ekosistemit? Teatri po e vëzhgon ndikimin njerëzor mbi planetin tash e shumë vite, por e ka të rëndë të ballafaqohet me këtë problem.
A është teatri i brengosur për gjendjen e njeriut, të tillë çfarë po trajtësohet në shekullin 21, ku qytetari po manipulohet nga interesat politike dhe ekonomike, nga rrjetet e medias, kompanitë e krijimit të opinionit? Ku rrjetet sociale, sado që ta lehtësojnë atë, megjithatë janë alibia e madhe për komunikimin, ngaqë ato e sigurojnë distancën e nevojshme të sigurt nga Tjetri. Ndjenja e gjithëpranishme e frikës nga Tjetri, nga e ndryshmja, nga i Huaji, dominon në mendimet dhe në veprimet tona.
A mundet teatri të funksionojë si një punëtori e bashkekzistimit të dallimeve pa u marrë parasysh trauma e gjakderdhjes?
Trauma e gjakderdhjes po na thërret që ta rikonstruojmë Mitin. Dhe me fjalët e Hajner Mylerit, “Miti është agregat, një makinë me të cilën mund të ndërlidhen disa makina të reja dhe të ndryshme. E përcjell energjinë derisa shpejtësia në rritje të mos e shkatërrojë fushën kulturore” dhe do të shtoja, fushën e barbarizmit.
A mundet që dritat e teatrit të hedhin dritë mbi traumat sociale dhe të pushojnë së hedhuri gabimisht dritën mbi veten e tyre?
Pyetje që nuk lejojnë përgjigje përfundimtare, sepse teatri ekziston dhe mbijeton falë pyetjeve që s’kanë marrë përgjigje.
Pyetje të ngritura nga Dionisi, duke kaluar nëpër vendlindjen e tij, nga orkestra e teatrit antik, dhe duke vazhduar rrugëtimin e tij të heshtur mërgimtar nëpër peizazhet e luftës, sot, në Ditën Botërore të Teatrit.
Le të shikojmë në sytë e Dionisit, perëndisë ekstatike të teatrit dhe mitit që bashkon të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen, një fëmijë i dy lindjeve, i Zeusit dhe Semelës, një shprehës i identiteteve të rrjedhshme, femërore dhe mashkullore, të zemëruar dhe të dashur, hyjnor dhe shtazor, në kufirin mes çmendurisë dhe arsyes, rendit dhe kaosit, një akrobat në kufirin midis jetës dhe vdekjes. Dionisi shtron një pyetje themelore ontologjike: “Për çfarë bëhet fjalë, a thua?”, pyetje që e çon krijuesin në një eksplorim më të thellë të rrënjës së mitit dhe të dimensioneve shumështresore të enigmës njerëzore.
Ne kemi nevojë për mënyra të reja narrative që synojnë kultivimin e kujtimeve dhe formësimin e një përgjegjësie të re morale dhe politike, për të dalë nga fytyrat e shumta të diktaturës, të mesjetës së sotme.
Theodoros Terzopulos
Biografi e shkurtër
Theodoros Terzopulos është një regjisor i famshëm grek i teatrit, një nga drejtuesit e skenës evropiane, teoricien dhe mësues i teatrit, krijues i metodës së tij të aktrimit. Ai është një ekspert ndërkombëtar në sferën globale në inskenimin e tragjedive antike greke. Ai konsiderohet si një nga regjisorët kryesorë të teatrit në Greqi. Në vitin 1985, ai themeloi Teatrin ATIS në Athinë dhe organizoi një festival kushtuar kohëve të lashta në Delfi. Në vitin 1990, ai themeloi dhe më pas drejtoi Institutin Ndërkombëtar të Teatrove Mesdhetare. Shumë nga prodhimet skenike të regjisorit kanë marrë çmime prestigjioze teatrore. Që nga viti 1993, Terzopulos ka qenë president i Komitetit Ndërkombëtar të Olimpiadës Teatrore. Më shumë informacion në linkun këtu.
Përktheu: Ilir Ajdini